Δευτέρα, Ιανουαρίου 16, 2012

Identiteti i dyfishtë në Ballkan ose “Toka e Askujt”


Harvard University
John F. Kennedy School of Government
Kokkalis Program on Southeastern and East-Central Europe
Southeastern Europe Study Group, Center for European Studies
November 9, 2011

Këto 10 vitet e fundit, jam përpjekur dhe kam patur si qëllim të bëhem një rrëfyes  i mirë. Megjithatë, po e filloj këtë  kumtesë me një poezi në gjuhën greke. Në këtë mënyrë ju mund të shihni vetë se si tingëllojnë në buzët e mia Shqiptare fjalët greke: «Δεν θέλω τίποτε άλλο παρά να μιλήσω απλά// να μου δοθεί τούτη η χάρη… Κι είναι καιρός να πούμε τα λιγοστά μας λόγια// γιατί η ψυχή μας αύριο κάνει πανιά». E di që çka thashë nuk ka kuptim për ju, prandaj po e shqipëroj: «Nuk dua kurrëfarë gjëje tjetër, përveçse të flas thjesht/ le te më jepet kjo dhunti/ ka ardhur koha të themi ato pak fjalë / sepse nesër shpirtrat tanë tutje do të lundrojnë...» - Kjo është poemë e një poeti  grek të quajtur Jorgos Seferis.
Të flasësh me fjalë të thjeshta për një çështje të ndërlikuar, identitentin e dyfishtë, sidomos në Ballkan, nuk është gjë e lehtë. Fillova të pyesja seriozisht veten për identitetin e identiteteve të mija kur u gjeta përballë pyetjes "ndihesh Shqiptar apo Grek?". U përballa me këtë pyetje kur fillova të fitoja një farë njohjeje publike në Greqi, njëfarë pranimi publik si shkrimtar dhe gazetar. Të them të vërtetën, ishte një pyetje që nuk më kishte kaluar nga mendja më parë. Gjendja ime shpirtërore, përpara se të përfitoja njohje publike në Greqi, ishte shumë e afërt me atë të dikujt që ende është duke kaluar kufirin nga Shqipëria për në Greqi. Edhe pse kalimi i vërtetë i kufirit kishte ndodhur nja 10 vite të shkuara dhe në atë kohë unë jetoja në Athinë- shumë kilometra larg kufijve.
Bashkëbiseduesit që ma bënin këtë pyetje më shikonin si njëfarë paradoksi. Si dikush që ishte arratisur nga një hapsëirë e paracaktuar. Për ta unë isha i vetmi emigrant që shkruante në gazetat më të mëdha greke. I vetmi emigrant që u bë shkrimtari më i shitur në një vend ku emigracioni, në debatin publik, trajtohej si një kërcënim i vazhdueshëm dhe pothuajse si një 'aksident historik'. E dëgjoja këtë pyetje në greqisht, si edhe në shqip. Edhe kritikët e letërsisë, veçanërisht në Greqi, me disa përjashtime, e kishin të vështirë të më etiketonin në sensin e identitetit kombëtar. Dhe, siç e kuptova, ata e kishin shumë qejf etiketimin.
Romanet dhe artikujt e mi i shkruaja në një gjuhë që nuk ishte gjuha e nënës. I shkruaja në gjuhën zyrtare të vendit ku jetoja, Greqisë. Kur libri im u përkthye në disa gjuhë europiane, pyetja 'je grek apo shqiptar?' u shndërrua në dilemë. Si duhet të kategorizohesha? Isha një shkrimtar grek me origjinë Shqiptare, apo një shkrimtar Shqiptar që shkruan në greqisht? Ndoshta zgjidhja më e mirë në këtë rast do të ishtë të etikohesha si një shkrimtar greko-shqiptar apo shqiptaro-grek. Por një gjë e tillë ishte e pamundur për ata që vinin etiketat.
Vura re se që ndonjëherë, njerëzit që më bënin këtë pyetje- 'ndihesh grek apo shqiptar?'- ishin më shumë se kureshtarë: ata ishin në ankth. Ndonjëherë ata arrinin, me sukses, të ma përçonin edhe mua këtë ankth. Në fillim përgjigjesha: "mendoj se ndoshta jam edhe grek edhe shqiptar'. Vura re se shprehjet 'mendoj' dhe 'ndoshta' shkaktonin një farë turbullimi tek bashkëbiseduesit e mi. Fjalët 'mendoj' dhe 'ndoshta' janë në kundërshtim me fjalët 'besim' dhe «konvertim».
Në shkollat e mesme, sidomos, ku ftohesha për të diskutuar librat e mi me nxënësit, pohimi 'Jam grek dhe shqiptar' provokonte njëfarë pështjellimi mendor e ndonjëherë edhe emocional. Së pari te studentët me 'gjak të  pastër' grek. Dhe mandej edhe tek fëmijët e emigrantëve. E kuptoja se ajo çka po thosha unë nuk përputhej me rrëfimet për identitetin kombëtar që ata mësonin në shkollë. Për më shumë, pikërisht gjatë këtyre vizitave nëpër shkolla unë fillova të dëgjoja, shpesh e më shpesh, një pyetje të re, që në fillim më gjeti të papërgatitur: 'je më shumë grek apo shqiptar?' apo 'ndihesh më shumë grek apo shqiptar?' Pas një reagimi tim fillestar prej të sikletosuri, e gjeta, më në fund, një përgjigje konstante: 'varet nga personi që ma bën këtë pyetje. Nëse ai është një nacionalist dhe racist grek atëherë unë jam më shumë shqiptar, dhe e anasjellta'. Vura re se, pavarësisht kësaj, studentët kurrë nuk kënaqeshin plotësisht me përgjigjet e mia. Në sytë e tyre unë isha si një njeri që qëndronte në "Tokën e Askujt". Me kalimin e kohës jam mësuar me atë lloj shikimi ndaj meje. Një shikim që, përsa i takon identitetit, më vendos në "Tokën e Askujt". Na pëlqen apo jo shikimet e të tjerëve përcaktojnë edhe mënyrën se si ne shohim veten tonë. Kështu që, dikur, fillova të pyes veten: 'Mos vallë po qëndron me të vërtetë në "Tokën e Askujt"?
Kur dukush fiton njohje publike në një vend 'të huaj', kryen një kalim vendimtar: nga pozicioni i 'të jashtmit' (outsider) në atë të 'të brendshmit' (insider). Megjithëse kufijtë mes këtyre dy pozitave janë të papërcaktuar mirë dhe ndryshojnë gjatë gjithë kohës. Sidoqofë, në rastin tim, sa më shumë njohje publike fitoja dhe sa më shumë 'i brendshëm' bëhesha nga aspekti social, në çështjen e identitetit po e gjeja veten gjithnjë e më shumë në "Tokë e Askujt". Ndjeja se ndonjëherë kishte një hendek midis meje dhe audiencës sime, që më bënte të ndihesha jo edhe aq mirë. Kaq shumë, saqë në njëfarë pike fillova ta mendoja seriozisht ta lija Greqinë për një vend të tretë, por vetëm me një kusht: në vendin e ri ku do të emigroja nuk do të kishte as Grekë as Shqiptarë. Një ditë qëndrova para hartës së botës, duke kërkuar këtë vend të tretë. Më duhet të pranoj se nuk gjeta asnjë vend që më pëlqente, ku të mos kishte as Grekë, as Shqiptarë. Duke parë hartën dhe duke kuptuar se Grekët dhe Shqiptarët janë gjithandej, fillova të pyes veten: pse këta popuj që udhëtojnë kaq shumë dhe kanë një diasporë të madhe, dhe mbi të gjitha, popuj që jetojnë në Mesdhe, prej shekujsh nën perandori multi-kombëtare, turbullohen nga ideja e identiteti të përzier? Edhe unë isha pjesë e kësaj bote që po vija në pyetje dhe dyshim. Pra hetimi i saj ishte edhe një proçes vetënjohjeje.
U dhashë një përgjigje teorike, por të pjesëshme, pyetjeve të mia gjatë hulumtimeve për doktoraturën. Tema ishte: Imazhet e Shqipërisë dhe shqipëtarve në shtypin grek dhe imazhet e Greqisë dhe grekëve në shtypin shqiptar. Në të vërtetë, për mua hulumtimi nuk ishte vetëm një proçes pjekurie akademike dhe vetënjohje, por gjithashtu edhe një proçes mazokizmi par excellece - për shkak të mbizotërimit të imazheve negative dhe stigmatizuese në të dy anët.
Për sa i përket çështjes së identitit, u mundova të analizoja rrëfimet mbi identitetin kombëtar në të dyja anët e kufirit. Rrëfimet mbi imigracionin, në veçanti, m’u dukën shumë interesante. Gjatë gjysmës së fundit të shekullit 19të dhe gjysmës së parë të shekullit 20të, teksa mundoheshin të formonin shtet-kombet e tyre të reja, Grekët dhe Shqiptarët emigronin në mënyrë masive drejt vendeve të industrializuara, sidomos drejt SHBA-ve.  Bostoni, për shembull, ishte një qytet ku gjatë fillimit të shekullit 20të jetonin shumë emigrantë Grekë dhe Shqiptarë.
Në të dyja rastet, emigracioni në  rrëfimet mediatike nuk përshkruhej si një mundësi apo si një zgjedhje e lirë por si një mallkim. Përshkrimet dhe perceptimet e “emigrantëve të mirë” më interesonin në veçanti. Një ndjenjë e fortë viktimizimi përshkruante rrëfimet mbi emigracionin. “Emigranti i mirë” përshkruhej si dikush që mbetej gjithmonë i lidhur me rrënjët e tij kombëtare. Nga kjo pikëpamje, ai qëndron i pandryshueshëm dhe nuk ndikohet nga kontaktet me kulturën e vendit të huaj ku ka emigruar. Në këto histori, ku, midis rradhëve mund të dallosh frikën e vazhdueshme për asimilim, “qëllimi madhor” i një “emigranti të mirë” ishte të kthehej në vatrën kombëtare, te Itaka e tij. Modeli më epik i këtij përmallimi për t’u rikthyer ishte padyshim eposi i Uliksit. Ndërkohë, në këto rrëfime identiteti kombëtar, përshkruhej kryesisht me terma gjaku dhe dhe projektohej si një 'bërthamë e paepur dhe e  patretshme'. Virtuti i madh i një emigranti, në lufën e tij kundra harresës dhe humbjes, ishte ta mbante këtë 'bërthamë' të pastër nga ndikimet e jashtme: sa më të pastër të ishte e mundur.
Ndërsa përparoja me hulumtimet e mia, kuptova se këto përshkrime të emigrantëve dhe emigracionit ishin projektime dhe zgjatime të rrëfimeve kryesore kombëtare të zhvilluara në atdhe. Rrëfime që mund të përmblidhen në një frazë: "Grek/Shqiptar lindesh, nuk bëhesh." Një perceptim që jo vetëm e redukton dhe e bazon identitetin kombëtar mbi elementin ‘gjak’, por në të njëjtën kohë, përjashton çfarëdolloj ndërmjetësimi dhe kontrate politike. Në këto terma, kombi perceptohet si një klan i mbyllur, anëtarët e së cilit i bashkon ekskuzivisht gjaku. Kombi modern nuk perceptohet si një bashkësi politike e përbërë nga qytetarët në bazë të një kontrate sociale, që bazohet në të drejta dhe përgjegjësi të përbashkëta. Qytetari, në këtë rast, identifikohet dhe pështjellohet me anëtarët e 'klanit' para-modern. Shumë afër ngjizjes së 'fisit' në shqip dhe 'genos' në greqisht- i cili në këtë rast kombëtarizohet dhe modernizohet. Eshtë e qartë se dikush që është mësuar ta shikojë identitetin kombëtar në këto terma do t'i shohë ata që deklarohen si 'hibride kulturore' si bujtës të dyshimtë, të çuditshëm dhe ngacmues.
Në rastin tim, unë jo vetëm po e deklaroja veten si një 'hibrid kulturor' por edhe si një 'hibrid kulturor' ballkanik. Dhe vura re se vetdeklarimi si një hibrid kulturor balkanik konsiderohej një humbje e skajshme e ekuilibrit identitar. Deklarimi i bashkëjetesës të dy identiteteve ballkanike brenda të njëjtit person konsiderohej diçka jo natyrale, diçka anormale.
Gjatë hulumtimeve në shtypin Grek dhe Shqiptar më ra në sy ambiguiteti kundrjet Tjetrit ballkanik. Nga njëra anë ekzistonte prirja për të revendikuar të njëjtat rajone gjeografike, të njëjtat tradita kulturore, të njëjtët heronjë kombëtarë. Nga ana tjetër, sidomos në shtypin grek, në tekstet që analizova, kishtë një tendencë për të mbytur dhe fshehur çdo lloj ngjashmërie historike apo kulturore midis Grekëve dhe Shqiptarëve. Do të thoja se ngjashmëria mes Grekëve dhe Shqiptarëve shkaktonte ankth, i cili si reagim shkaktonte përsiatje dhe argumenta për të imponuar jo vetëm një skemë antagonizmi mes këtyre dy identitetve, por imponimin e dallimit/ndryshimit absolut mes identiteti Grek dhe atij Shqiptar.
Personalisht, një nga privilegjet kryesore mendore e të jetuarit mes dy identiteteve ballkanike ishte që pata mundësinë të kuptoj atë çka unë quaj 'sindroma ballkanase'. Mundohem ta shpjegoj këtë me anë të idesë frojdiane të 'narcizizmit të dallimeve të vogla'. Sipas kësaj teorie urrejtja, frika dhe përbuzja jonë shpesh drejtohen kah njerëz që na ngjajnë, ndërsa krenaria jonë është e lidhur me shenjat e vogla që na dallojnë nga ata. Bazuar mbi këtë perceptim, në librin tim të dytë "Emri im është Europë", protagonisti hedh idenë e «Ngjashmërisë së padurueshme të Tjetrit». Thënë me fjalë të tjera, 'përplasjet e qytetërimeve' në Ballkan shkaktohen jo nga fakti qe Tjetri është i ndryshëm nga vetja por kryesisht ngaqë na ngjan shumë dhe në mënyrë të padurueshme.
Nëse më kërkohet të përshkruaj apo analizoj kuptimin e kësaj atëherë do të të jap këtë përshkrim të shkurtër: 'ngjashmëria e padurueshme e Tjetrit' është një lloj mekanizmi psikologjik i cili shkakton një farë ambigiteti ndaj Tjetrit etnik. Aktivizohet atëherë kur Tjetri nuk është 'Tjetri i përsosur' por prania e tij provokon ankthin e jo-dallimit. Aktivizohet kur duhet të vërtetosh ndryshimin tënd absolut nga dikush me të cilin ti ndan kujtime të përbashkëta të së kaluarës dhe rrugë kulturore të përbashkëta. Prandaj, mendoj unë, koncepti i një identiteti të dyfishtë në Ballkan tingëllon kaq i parehatshëm: provokon kujtimet e një bashkëjetese dhe këmbimi në kuadër të Perandorive para-kombëtare, ku kombësitë, klanet, etnitë, gjuhët, ritualet dhe besimet ekzistonin, përplaseshin, bashkë-ekzistonin dhe jepnin e merrnin mes tyre për shekuj të tërë. Kryesisht, sepse, koncepti i 'identitet i dyfishtë' vë në dyshim thelbin e rrëfimeve moderne në Balloan - sipas të cilave, dikush ose lind grek ose lind shqiptar; pra duke përjashtuar apo duke fshehur proçedurat ndërtuese politike për sa i përket identitetit kombëtar në erën moderne të shtetit-komb.
Nuk ka dyshim që për gjithcka të sipërpërmendur, mund të gjejmë shpjegime në histori. Një nga këta është fakti që në përpjekjet e tyre për të ndërtuar identitete kombëtare të qëndrueshme dhe homogjene, rrëfimet e promovuara në shtet-kombet e reja ballkanike, që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar, përjashtojnë, apo në rastin më të keq demonizojnë çfarëdolloj elementi të një bashkë-ekzistence dhe përzierje të mëparëshme. 
Këto proçedura, për të cilat fola më pare, nuk janë unike. Këto lloj rrëfimesh mund t'i gjesh në pjesë të tjera të Europës apo te kombe në kontinente të tjerë. Kur unë flas për procedurat politike dhe rrëfimet që formuan kombet moderne ballkanike, duhet të theksoj se ata kurrë nuk janë të njëzëshëm apo të mbyllur hermetikisht. Ato gjithmonë lënë vend për interpretime, kontradikta dhe përjashtime më të gjëra. Në çdo rast, është e rëndësishme të mbahet gjithmonë parasysh perspektiva historike, për të hetuar momentet kyç kur mbizotëruan treguesit e 'komunitetit kombëtar të mbyllur, homogjen dhe të pastër'. Një moment i tillë kyç në rastin e Greqisë janë vitet pas 1922-it, pra fundi i 'Megali Ideas' sipas të cilit destinacioni 'fizik' i shtetit kombëtar moderno-europian grek do të ishte trashëgimtari i Perandorisë Bizantine (i famës dhe tokave). 'Megali Idea' dështoi pas tragjedisë në Azinë e Vogël dhe u pasua me këmbimin e popullësisë (ortodoksët u detyruan të linin Turqinë për Greqinë dhe myslimanët Greqinë për Turqinë). Ky është një moment shumë i rëndësishëm për mbizotërimin e rrëfimeve zyrtare për një 'komunitet kombëtar të pastër dhe homogjen'. Një tjetër moment kyç është lufta civile greke dhe pasojat e saj: mënyra se si shteti grek e formoi dhe  përdori 'ithagenia-n' - që është ekuivalentja e natyralizimit dhe shtetësisë, që nënkupton se dikush i përket “genos-it” grek, pra një komunitet biologjik i bazuar në lidhjet e gjakut dhe të fesë- si një armë kundër atyre që kishte deklaruar si armiq, shpesh duke u privuar atyre shtetësinë. Një tjetër moment kyç, edhe më i freskët, ka ta bëjë me prezencën e emigrantëve në Greqi- që sfidon rrëfimet për një “komunitet nacional të mbyllur, homogjen e të pastër”.
Në të njëjtën kohë, në rastin e Shqipërisë, përhapja e narracioneve kombëtare mbi identitetin shqiptar të bazuar mbi gjak, tokë e gjuhë, sipas meje, ka të bëjë me përpjekjet e nacionalistëve shqiptarë për të kapërcyer ndarjen fetare në mënyrë që t’i jepej formë identitetit modern kombëtar shqiptar. Shumë interesant është fakti që narracionet për një “komunitet nacional të mbyllur, homogjen e të pastër” në Shqipëri u fabrikuan sidomos gjatë komunizmit-paralelisht me një diskutim për internacionalizmin e klasës punëtore.
Cilido qoftë rasti, narracionet mbi identitetin kombëtar të përqëndruar në fjalinë “grek/shqiptar lind nuk bëhesh” janë të mishëruara në kodin kushtetues të shtetësisë të të dyja vendeve- në të dyja rastet shtetësia bazohet në ”jus sanguinis” (‘të drejtën e gjakut’) ndërsa “jus solis” (‘e drejta e territorit’) është parashikuar vetëm për raste të veçanta. Eshtë shumë interesante të shohësh se si, në kushtet e reja të krijuara nga globalizimi, këto rrëfime, në versionin e tyre zyrtar apo jozyrtar, përsëri sfidohen, rishfaqen, rezistojnë, ndryshojnë apo u adaptohen realiteteve të reja.
Në këtë pikë ndjej nevojën të sqaroj se nuk po propozoj si model eksperiencën time personale dhe zgjedhjen time mbi identitetet. E pranoj se identiteti i dyfishtë nuk është fati i çdo qënie njerëzore dhe për më tepër nuk është e lehtë të jetosh për një kohë të gjatë midis dy identiteteve antagoniste; nuk është fare qejf të jetosh në “Tokën e Askujt”. Ndonjëherë duket si një lojë ekstreme. Ndonjëherë ndihesh sikur harxhon shumë kohë duke luftuar me mullinjtë e erës. Ajo çka unë po përpiqem të bëj është të ofroj një histori dhe perspektivë individuale, si edhe një rrëfim personal dhe individual.
Duhet ta pranoj që jam shumë i lidhur me rrëfimet personale . Ndoshta prej faktit që u rrita në Shqipëri, nën totalitarizëm, ku personalja dhe individualja përçmoheshin dhe mbyteshin. Në një rrëfim totalitar nuk ka vend për një zë personal dhe individual. Ti je thjesht fragment i një mase të njëtrajtëshme dhe homogjene. Ajo çka thua, zgjedh dhe mendon është përzgjedhur nga të tjerët. Ti duhet të jetosh jetët e të tjerëve, duhet të tregosh historitë e të tjerëve, në të kundërt do të përjashtohesh, shtypesh dhe shkatërrohesh. Individi që mundohet të marrë përgjegjësi për zgjedhjet dhe jetën e tij është ankthi jo vetëm i totalitarizmit por i çfarëdolloj pushteti autoritar dhe çdo lloj rrëfimi që e projekton vetveten si “të paprekshëm”, “të pasfidueshëm” dhe “të shenjtë”. Me erdhi fjala tek “narracioni i shenjtë” qëndrimi im kundrejt identitetit tim të dyfishtë ballkanik i përngjan përshkrimit të filozofit gjerman Odo Marquard “Nëse- duke ekzaminuar një tekst të shenjtë- dy interpretues kontradiktorë deklarojnë: Unë kam plotësisht të drejtë, mënyra ime e perceptimit të këtij teksti është e vetmja e vërtetë, dhe për rrjedhojë, e vetmja rrugë shpëtimi-kjo do të sjellë vetëm konflikt. Por nëse ata bien dakort që teksti mund të kuptohet në një mënyrë ndryshe, dhe në një tjetër mënyrë e kështu me rradhë, atëherë ata do t’i japin mundësi negocimit, dhe ai që negocion nuk kryen vrasje”.
Duke ekzistuar midis dy vendeve ballkanike kam marre nje superdozë Ballkanizmi. Duke ekzistuar midis këtyre dy indentiteteve ballkanike antagoniste, shpesh kam ndier këta dy interpretues, këto dy pikëpamje, dhe zëra të ekzistojnë, bile edhe të përplasen brenda meje. Ishte shushurima e tyre konstante, antagonizmi i tyre, rrëfimet e tyre konfliktuale, lojrat e tyre mizore për pushtet, që më ndihmuan të zhvilloja një sens të fortë individualizmi dhe një zgjedhje individuale.  Individualiteti si një zgjedhje etike, si një qëndrim intelektual dhe etje për hulumtim dhe njohuri, por gjithashtu edhe si një mbrojtje dhe “dalje rreziku” gjatë rrugëtimit tim në “Tokën e Askujt”, ku perceptimi i “të tjerëve të njohur” më kishte vendosur. Në të njëjtën kohë, këta zëra antagonistë zhvilluan tek unë një “përkthyes” të tretë, një dimension të tretë, i cili nuk ekzistonte më parë: identitetin tim ballkanik që është i përbërë nga një shumicë zërash.
Kur them se duke jetuar ndërmjet dy identiteteve ballkanike unë ndiej gjithmonë e më shumë se i përkas një identiteti ballkanik, duhet gjithashtu të them se është shumë e vështirë të përcaktoj me saktësi se çfarë do të thotë “identitet ballkanik”. Eshtë i vështirë për t’u përkufizuar, sepse një gjë e tillë nuk është e pranuar apo e institucionalizuar. Si një rrëfim politik ju mund ta gjeni në ligjëratat e intelektualëve, të lindur aty apo të huaj, të cilët i referohen rajonit. Mund ta gjeni nocionin “identitet ballkanik” edhe në rrëfimet letrare, nga shkrimtarë dhe eseistë të ndryshëm. Dhe pastaj në rrëfenjat e udhëtarëve, sidomos në shekullin 19të dhe çerekun e parë të shekullit 20të, shumica e të cilëve vinin nga Europa Veriore dhe Perëndimore, që e përshkruanin Ballkanin si streha e fundit e romantizmit ose si “Tjetri e brendshëm” i Europës; njëfarë ure midis Lindjes dhe Perëndimit, midis para-modernizmit dhe Modernizmit, midis Islamizmit dhe Krishtërimit.
Rrëfimet mbizotëruese aktuale që lidhen me “identitetin ballkanik”, me sa kam dijeni, gjithashtu nënkuptojnë diçka ndryshe nga ajo që dua të them. Disa prej tyre nënkuptojnë njëfarë identiteti ballkanik të përbashkët të bazuar në kohët Bizantine apo Otomane. Të tjerë nënkuptojnë një identitet ballkanik të bazuar mbi një fe të përbashkët apo mbi tolerancën midis besimeve të ndryshme. Dhe disa rrëfenja, të cilat u formuan gjatë luftës civile në Jugosllavi, e përdorin termin në një mënyrë fyese, duke e barazuar “identitetin ballkanik” me prapambetje dhe egërshani. Me trazirat e fundit ekonomike në Greqi, termi “Ballkan” gjithashtu përdoret në një mënyrë fyese, duke u përpjekur të jetë një parim shpjegues për atë çka po ndodh.
Le të themi se unë e kuptoj  “identitet tim ballkanik” të vetpërfytyruar më shumë në termat e të sotmes se sa të të djeshmes; në termat e së tashmes më shumë se sa në termat e së kaluarës. Imja nuk është një përqasje esencialiste kulturore ku Ballkani është diçka krejt ndryshe nga pjesa tjetër e Europës. Do e përkufizoja më shumë si një vetëdije për rrugëtimet kulturore dhe jetesën e përbashkët, si edhe procedura të përbashkëta përsa i përket ndërtimit të identiteteve moderne dhe shtet-kombeve që lindën në këtë pjesë Europiane të Perandorisë Otomane të quajtur, dhe të përkufizuar si “Ballkan”.
Materiali bazë për identitetin tim ballkanik është vetëdija për historikun e termit Ballkan- se si simulakra (shenjëzimi) i tij lindi dhe u farkëtua nga dhe në narracionet e Europës Perëndimore. Është më në fund, të paktën për mua, një kërkim i elementëve kozmopolitë që u margjinalizuan, mohuan apo shtypën në historitë kryesore zyrtare e shtetërore të kombeve ballkanike.
Nëse në jetën time nuk do të kisha patur rastësinë apo zgjedhjen e quajtur emigrim, ndoshta sot nuk do të isha këtu duke folur për identitetin tim ballkanik dhe identitetet në përgjithësi. Kalova kufirin nga një vend ballkanik që i përkiste Lindjes komuniste për në një tjetër vend ballkanik që i përkiste Perëndimit liberal. Takimi midis këtyre dy botëve paralele dhe të ndara europiane për mua ndodhi në versionin ballkanik, në kufirin greko-shqiptar. Greqia ishte vendi fqinj ballkanik për të cilin unë nuk dija gati asgjë. Përveç narrativës që kisha mësuar në orën e historisë në Shqipërinë komuniste, sipas të cilave shqiptarët ishin po aq të vjetër sa edhe grekët, dhe se në kohët antike grekët ishin të mrekullueshëm ndërsa në kohët moderne ata kishin një oreks djallëzor për të gllabëruar tokat shqiptare.
Në imagjinatën time Greqia nuk identifikohej plotësisht me Perëndimin dhe dëshira ime ishte të vazhdoja rrugëtimin tim drejt vendeve që identifikoheshin më shumë me Perëndimin; drejt vendeve gjuhët e të cilave unë i kisha përvetësuar gjatë izolimit tim të plotë në Shqipëri. Plani im fillestar ishte të qëndroja në Greqi vetëm 20 ditë. I kam bërë tashmë 20 vite. Qëllimi im sot nuk është të flas për emigracionin, sepse shumë kam folur për të në librat e mi. Në epilogun e librit tim të parë shkruaj se pavarësisht faktit se vetë jam emigrant, ëndërroj për një botë pa emigrantë. Mos me keqkuptoni. Më pëlqen të udhëtoj. Thjesht preferoj që njerëzit të udhëtojnë në kuptimin e plotë të fjalës. Të udhëtojnë me dinjitet. Nuk dua që njerëzit të udhëtojnë ashtu siç Grekët ishin të detyruar të udhëtonin njëherë e një kohë dhe siç shumë Shqiptarë janë të detyruar të udhëtojnë sot.
Megjithatë, dua të them se falë emigracionit dhe kushteve me të cilat lidhet, unë zhvillova jo vetëm një identitet të dyfishtë, por gjithashtu edhe një farë vizioni të dyfishtë: atë të “të brendshmit” dhe të “të jashtmit” në të njëjtën kohë. Nga kjo pikëpamje, jam mësuar me të qenët një “i brendshëm-i jashtëm” apo një “i jashtëm-i brendshëm”, në varësi të rrethanave. Ky është një pozicion shumë i privilegjuar por edhe tejet i pakëndshëm në të njëjtën kohë. Nëse mund ta përshkruaj në terma narrativë, do të thoja se vizioni i dyfishtë të jep aftësinë të shohësh veten me sytë e të tjerëve dhe të evitosh identifikimin absolut me çdo lloj narracioni, të njëanshëm dhe të paracaktuar. Më duhet ta pranoj se shpesh personi që zhvillon dhe identifikohet me një narracion absolut, zakonisht e gjen vetveten në një pozicion më të rehatshëm se unë.
Ajo që unë e quaj “vizion i dyfishtë” me ka ndihmuar jashtë mase me të shkruarin. Unë shkruaj libra në një gjuhë që nuk është gjuha e nënës. Nuk e kisha imagjinuar kështu. Nuk e kisha imagjinuar që një gjuhë, prej së cilës deri në moshën 24-vjeçare nuk dija asnjë fjalë, do të kthehej në një mjet jetese për mua dhe mbi të gjitha do të bëhej mjeti me të cilin do joshja të tjerët, shumica e të cilëve më shihnin mua si një të huaj apo furacak. Në librin tim “Emri im është Europë”, protagonisti bën një rrëfim në lidhje me gjuhën: “Po pra, ishte atëherë kur unë rash në dashuri me gjuhën greke dhe e zotërova atë. Zotërova gjuhën e njerëzve, shumë prej të cilëve përbuznin origjinën dhe gjuhën time. Në anën tjetër, mendoj se kjo është arsyeja që marrëdhënia ime me gjuhën greke u bë kaq speciale... Gjuha më dha një mundësi të vija nën kontroll, të joshja, të bëja për vehte brenda një mjedisi refuzimi. Marrëdhënia ime me gjuhën e juaj u bë speciale sepse më ofroi mundësinë të evoluoja nga një “kokë turku” dhe “i padëshirueshëm” në një bashkëbisedues dhe rrëfyes. Unë doja të dëgjohesha. Doja të tregoja historitë, e mia si edhe të të tjerëve”.
Të shkruash në gjuhën e nënës apo në një gjuhë tjetër, kërkon një “gjueti” të vazhdueshme gjuhe dhe pamjesh përfytyrimi dhe kureshtjeje; Të përmbysësh të parashikueshmen, të shtosh mundësitë e ngjarjeve; të krijosh indentitete prej hiçit, të përballësh me durim qëndrimin përtacak të narcizizmit tënd, dhe të sabotosh “NE-të” dhe “Neve-të” e njëzëshëm në narracione njëjës të “unë”, “ti”, “ai” dhe “ajo”. Nga kjo pikëpamje, të shkruarit kërkon një vizion të dyfishtë dhe një shumicë zërash. Letërsia dhe krijimtaria artistike janë e kundërta e një tregimi të paracaktuar.
Duke i hedhur një sy asaj çka kam thënë deri më tani, e pranoj se jam endur nëpër rrugë dhe eksperienca të përziera: totalitarizëm, Ballkani, kufijtë Greko-Shqiptarë, Europa, Perëndimi, imagjinata, gjuha e nënës dhe e thjeshtrës, letërsia dhe imagjinata. Në fund të fundit, a nuk e ndërtojmë ne identitetin dhe identitetet tona individuale dhe kolektive mbi një bashkëveprim të vazhdueshëm me këta elementë të përzier, duke përzgjedhur, refuzuar, shtypur apo projektuar aspektet e tyre sipas vlerave tona morale, shqetësimeve dhe rrethanave ekzistenciale? Nëse unë do të përshkruaja identitetin, nuk do t’a krahasoja atë me një kolazh elementesh të përzier, por me një prizëm i cili përthyen dritën në reflektime dhe ngjyra të ndryshme.
Jam i vetëdijshëm se duke folur për identitetet nuk është se kam thënë ndonjë gjë shumë origjinale. Statusi qendror që ka sot ky koncept ndodh edhe falë faktit se identiteti si një koncept ka pushuari së qëni i vetëkuptueshëm. Kur po shkruaja për identitetin tim të dyfishtë, mendja më shkoi te një libër që kisha lexuar se fundmi, të shkruar nga Jean Amery, një shkrimar gjermanisht-folës, emri origjinal i të cilit ishte Hans Maier. Jean Amery, ish-Hans Maier, jetoi gjysmën e parë të jetës së tij në Gjermani. Ai ishte hebre dhe u përball me përndjekjen dhe vdekjen në kampet naziste të zhdukjes. Vjen një pikë në librin e tij, ku ai pyet veten (lexuesit më shumë) se nëse ne, si qënie njerëzore, kemi nevojë për një atdhe? Sepse dikush, shkruan ai, nuk mund të jetë, ose nuk mund të jetë vetëm çka ai arrin të realizojë vetë. Më pas, ai përshkruan se si atdheu i tij, Gjermania, u bë armiqësor ndaj tij për shkak të origjinës dhe besimit. Gjuha në të cilën ai shkroi dhe ëndërroi u transformua në gjuhën e anktheve të tij. Amery i referohet një shkrimtari bashkëkohor, Alfred Mombert, i cili vdiq në kampet e përqëndrimit të jug të Francës. Amery kujton se si Mombert, përpara se të vdiste, u shkroi një letër miqve të tij, dhe midis të tjerash përdori frazën “ne shkrimtarët gjermanë”. “Një shkrimtar gjerman nuk është dikush që vetëm shkruan në gjermanisht-thotë Amery-por dikush që shkruan gjithashtu për ata që lexojnë dhe kuptojnë gjermanisht... Por nuk kishte asnjë dorë gjermane që ta mbronte Mombert-in, i cili shkruante në gjermanisht, nga nazistët. Kjo “dorë e munguar” e përjashtoi atë nga të qënit një shkrimtar gjerman”, përfundon ai.
Është një përshkrim shumë i egër. Ajo që më preku është imazhi i një dorë që mungonte në një moment të rëndësishëm. Në të njëjtën kohë më bëri të ndihesha shumë me fat që në udhëtimin tim mes dy vendeve kam takuar shumë duar, -greke dhe shqiptare- që jo vetëm më mbrojtën kur kisha nevojë, por gjithashtu më ofruan kurajo, admirim, miqësi dhe dashuri. Pa këto duar ky do të ishte një tekst shumë ndryshe.
E fillova këtë diskutim me një tekst në greqisht. Dua ta mbyll me disa vargje në shqip. Ishte dikur një kohë kur unë shkruaja edhe poezi, në shqip. Më pas, me sa duket, jeta ime u bë shumë prozaike, kështu që tani shkruaj vetëm proza. Kam zgjedhur një poemë nga ato vite poetike. Dua ta lexoj në shqip-që ju ta shihni vetë se si fjalët shqipe rrëshkasin në buzët e mia të adoptuara greke.  
Pas çdo melodie / fshihet një heshtje / që kërkon mëshirë, / mbi pragun e ndërrimit / të stineve / mbi pragun e shkëmbimit / të territ dhe dritës / kur një vajzë e brishtë / inaguron / lojën e pamëshirshme të shqisave dhe / gishtave / kur seicili jep llogari para fatit të vet / lypsar dhe mbret, se / e dashur / arti më i vështirë / është / të dish / të jesh i lirë / mandej vijnë të tjerat / çatitë dhe qelitë / kufomat dhe pajtimet / kangurët dhe guackat / ora e mirë dhe ora e ligë, oratorët / dhe kjo muzikë / me shtatë shpirtra / si macet...

Teksti i kumtesës u përkthye dhe u botua në revistën MAPO, nr. i Dhjetorit 2011
Link: http://revistamapo.com/

1 σχόλιο:

Εντμιρ Ντρεου είπε...

Nje artikull shum i bukur.Edhe se kam vetem 6 vjet ne Greqi edhe jam vetem 16 vjec un mesova historin grek edhe gjuhen me pelqejn shum te dyja.U perballa edhe un me kete pyetja 'cfar ndjehesh shqipetar apo grek' me pyten vitin qe kaloi kur qesh ne Shqiperi.Nuk ja kisha iden cfaer te pergjigjesha por pastaj thash vendlindja ime esht shqiperia kete nuk e ndrroj por nuk kam kufij ndjej te njejtan per te gjith shtete e kesaj bote sa te ndryshem qe te jemi jemi edhe po aq te njillojt.Nuk e mendova nese dhash nje pergjigje te sakt por ashtu do them gjithmon.faleminderit Edmir Ndreu